Një grua greke ka rënë viktimë e një mashtrimi dashurie në Stamboll, ku një individ që e paraqiti si “Muratin nga Libani” ia mori asaj 60,000 euro. Mediat turke raportuan se ky mashtrim i kushtoi turistes Eleni M. një shifër të konsiderueshme, ndërsa autori i krimit u arrestua nga policia turke pas një hetimi të shpejtë.
Eleni M. kishte shkuar në Stamboll për të takuar “Muratin”, me të cilin kishte krijuar një lidhje dashurie. Ajo tregoi në ankesën e saj se ai i kishte ofruar ndihmë për të shkëmbyer disa nga paratë e saj në dollarë. Sipas Elenit, ai i kishte dhënë 70,000 dollarë për 60,000 euro që i kishte dhënë. Megjithatë, kur ajo shkoi për t’i shkëmbyer dollarët, mori vesh se ata ishin të falsifikuar.
Një kamerë sigurie filmoi çiftin duke hyrë në një zyrë këmbimi valutor, duke rritur dyshimet dhe duke ndihmuar hetuesit të fillonin kërkimin për autorin e mashtrimit.
Pas disa hetimeve, policia arriti të lokalizonte dhe të arrestonte “Muratin”, i cili doli të quhej në të vërtetë Ismail dhe të ishte me origjinë nga Hatay, një qytet turk. Ai nuk kishte lidhje me Libanin, siç kishte pretenduar, dhe ndaj tij ishin ngritur tashmë pesë çështje të tjera për vepra të ndryshme penale.
Pavarësisht pretendimeve të tij se nuk e dinte që paratë ishin të falsifikuara, hetuesit dhe prokurori i çështjes e çuan në paraburgim, duke e konsideruar mashtrimin si një veprim të planifikuar.
