Një ngjarje tragjike është regjistruar në Alanya të Antalias, në Turqi, ku një 39-vjeçar ka humbur jetën pasi është hedhur me kokë nga një mol në një zonë ku uji ishte vetëm rreth 50 centimetra i thellë.

Viktima është identifikuar si Arif Erman, i cili ndodhej me pushime në një hotel në zonën e Konaklı. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, ndërsa momenti fatal është regjistruar nga kamerat e sigurisë së hotelit.

Sipas mediave turke, 39-vjeçari fillimisht është afruar pranë skelës dhe ka parë drejt detit. Më pas është tërhequr disa metra pas, ka marrë vrull dhe, duke kaluar mbi pengesën mbrojtëse, është hedhur me kokë në ujë.

View this post on Instagram

A post shared by Gazeta Shqip (@gazeta_shqip)

Në atë pjesë të detit, thellësia raportohet se ishte vetëm rreth 50 centimetra. Në zonë kishte gjithashtu tabela paralajmëruese që tregonin se hedhja në ujë ishte e rrezikshme dhe e ndaluar.

Pas hedhjes, Erman mbeti i plagosur rëndë. Një roje plazhi që ndodhej në mol u hodh menjëherë në ujë për t’i ardhur në ndihmë. Pas ndihmës së parë, 39-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk mundi të mbijetonte.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Erman kishte parë më parë zonën ku do të hidhej dhe më pas ishte tërhequr për të marrë vrull për hedhjen.

Arif Erman ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Mediat turke raportojnë se ai jetonte në lagjen Akçay të Sapancës dhe se trupi i tij do të përcillet për në vendlindje për ceremoninë mortore.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.