Një incident i pazakontë është shënuar në Glendale, Arizona, ku agjentët e Shërbimit Sekret arrestuan një person të armatosur që prezantohej si oficer policie. Ngjarja ndodhi të premten në stadiumin “State Farm”, ku të dielën pritet të zhvillohet ceremonia e varrimit të Charlie Kirk.
Sipas Fox News, i dyshuari u ndalua menjëherë, ndërsa zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, bëri të ditur se ai nuk ishte pjesë e personelit të autorizuar të sigurisë për këtë event.
“Shërbimi Sekret, në bashkëpunim me policinë lokale në Glendale, po heton një individ që shfaqi sjellje të dyshimtë. Gjatë kontrollit, ai deklaroi se ishte pjesëtar i forcave të rendit dhe se mbante armë. Në fakt, ai nuk kishte asnjë autorizim dhe aktualisht ndodhet në paraburgim”, theksoi Guglielmi.
Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë publik. Ndërkohë, funeralin e Kirk pritet ta ndjekin mbi 100 mijë persona, përfshirë edhe figura të njohura si Donald Trump dhe J.D. Vance.