Një estetiste 28-vjeçare nga Britania, Kim Hall, është arrestuar në aeroportin e Çikagos, pasi në valixhet e saj u gjetën 43 kg kokainë, me vlerë tregu prej 15 milionë paundësh. E reja po përgatitej të udhëtonte drejt Mançesterit pas një udhëtimi një javor në Kankun, Meksikë.
Hall pretendon se është e pafajshme, duke thënë se kishte pranuar një pushim falas nga një çift që kishte takuar më parë në Portugali. Sipas saj, çifti i kërkoi të kthente “para të gatshme” për një anëtar të familjes së tyre, pasi njëri prej tyre kishte humbur pasaportën.
“Ata më siguruan që gjithçka ishte e ligjshme. Ishte një pushim që më duhej për të marrë pak frymë nga problemet në shtëpi,” tha ajo në një intervistë për ITV.
Përkundër pretendimeve të saj, Hall po përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge, që mund t’i sjellin një dënim deri në 60 vjet burg. Rasti i saj ka ngjallur debat mbi metodat e rekrutimit të kontrabandistëve nga rrjete kriminale dhe pasigurinë për individët që bien pre e mashtrimeve të tilla.
Hetimet janë ende në vazhdim.