Tre të rinj shqiptarë nga Saranda janë arrestuar në Greqi, pasi policia u kapi 66 kilogramë e 742 gramë kanabis, që dyshohet se po transportohej nga Shqipëria drejt Greqisë.
Ngjarja u regjistrua në zonën e Igumenicës, ku efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare të Filatit, ndaluan fillimisht një automjet që drejtohej nga një prej shqiptarëve të arrestuar.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 60 pako me kanabis, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë, të cilat u sekuestruan nga policia.
Më pas, në një tjetër vendndodhje, u ndalua edhe një automjet i dytë, në të cilin udhëtonin dy shqiptarët e tjerë. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kishin rolin e pararojës, duke sinjalizuar drejtuesin e automjetit të ngarkuar me drogë për kontrollet e mundshme të policisë.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe dy automjetet, 1,130 euro dhe katër celularë. Në kërkime u angazhuan gjithashtu qentë antidrogë, të identifikuar me emrat “IKARUS” dhe “JERRY”.
Tre të arrestuarit, së bashku me dosjen përkatëse, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, gjatë 15 muajve të fundit policia ka sekuestruar rreth 1.5 tonë kanabis në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Florinës dhe Selanikut.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhet me linjën e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës, e konsideruar si një prej itinerareve të përdorura për transportimin e lëndëve narkotike. Në një prej rasteve të regjistruara në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të shpejtë të ngarkuar me drogë.
