Pas marrjes në pyetje nga Policia, Federica Mogherini, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, të përfshirë në skandalin e dyshuar që përfshinte financimin e diplomatëve të rinj europianë, u liruan gjatë natës.
Lajmi u dha nga Zyra e Prokurorit Publik të BE-së, që po udhëheq hetimin. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, por të tre u liruan sepse “nuk u konsideruan si rrezik për arratisje”.
Ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe rektorja aktuale e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, u ndalua pas kontrolleve të kryera mëngjesin e së martës (2 Dhjetor) në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe në Kolegjin e Evropës në Bruges, si pjesë e një hetimi për mashtrim të mundshëm në përdorimin e fondeve të BE-së.
Personat e tjerë të arrestuar janë një zyrtar i Kolegjit të Evropës dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021-2025), diplomati italian Stefano Sannino.
Hetimi ka të bëjë me akuzat për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien nga EEAS të një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e ardhshëm evropianë për Kolegjin e Evropës.
Faktet datojnë që nga periudha 2021-2022 dhe krimet e dyshuara, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, janë potencialisht “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional”.


