Më 11 mars të vitit 2011, një cunami shkatërrues goditi verilindjen e Japonisë, duke marrë mijëra jetë dhe duke lënë pas familje që ende sot kërkojnë të afërmit e tyre. Mes tyre është edhe Yasuo Takamatsu, i cili nuk ka reshtur së kërkuari bashkëshorten e tij, Yuko, të zhdukur në ujërat e gjirit Onagawa.
Dy herë në muaj, Yasuo vesh pajisjet e zhytjes dhe futet në det, me shpresën se do të gjejë të paktën një shenjë të bashkëshortes së tij. Përkrah tij zhytet edhe Masaaki Narita, i cili kërkon vajzën, Emi, gjithashtu të marrë nga dallgët e cunamit.
Të dy burrat e dinë se familjaret e tyre nuk janë më gjallë, por kërkimi u ka dhënë një arsye për të vazhduar jetën.
Nën ujërat e gjirit Onagawa gjenden ende frigoriferë, televizorë, automjete, pajisje peshkimi dhe mbetje ndërtesash, të mbuluara nga një shtresë e trashë balte. Gjurmët e katastrofës vazhdojnë të qëndrojnë në fund të detit, edhe pse qyteti në sipërfaqe është rindërtuar.
Mesazhi i fundit: “Dua të kthehem në shtëpi”
Në mëngjesin e 11 marsit, Yasuo e kishte shoqëruar Yuko-n me makinë drejt bankës ku ajo punonte. Gjatë rrugës kishin biseduar se çfarë do të hanin për darkë, pa e ditur se ajo do të ishte biseda e tyre e fundit.
Pas tërmetit, punonjësit e bankës u ngjitën në tarracën e ndërtesës dykatëshe, duke besuar se aty do të ishin të sigurt. Autoritetet kishin paralajmëruar për një valë rreth gjashtë metra të lartë, por cunami që goditi qytetin ishte më shumë se tri herë më i fuqishëm.
Pak para se dallgët të mbërrinin, Yuko i dërgoi bashkëshortit një mesazh:
“Je mirë? Dua të kthehem në shtëpi.”
Uji përfshiu ndërtesën brenda pak minutash. Nga 13 punonjësit që ndodheshin në tarracë, vetëm njëri arriti të mbijetonte, pasi u kap pas mbetjeve lundruese dhe u shpëtua disa orë më vonë nga një anije peshkimi.
Trupat e katër punonjësve u gjetën, ndërsa tetë të tjerë, mes tyre Yuko dhe Emi, vazhduan të konsideroheshin të zhdukur.
Muaj pas tragjedisë, telefoni i Yuko-s u gjet në parkingun pranë bankës. Kur Yasuo arriti ta ndizte, zbuloi një tjetër mesazh që nuk ishte dërguar kurrë:
“Cunami është katastrofik.”
“Ndiej se ajo ende dëshiron të kthehet”
Yasuo e kërkoi gruan mes rrënojave, në qendrat e strehimit dhe përgjatë bregdetit, por pa rezultat.
“Kam ndjesinë se ajo ende dëshiron të kthehet në shtëpi”, rrëfen ai.
Për një kohë të gjatë, burri u mundua nga mendimi se mund të kishte shkuar ta merrte nga banka pas tërmetit.
“Do të doja të kisha shkuar dhe ta kisha shpëtuar. Por paralajmërimi kërkonte që të qëndronim larg bregut. Nëse do të kisha shkuar, ndoshta edhe unë do të isha marrë nga dallgët”, shprehet ai.
Dy vite pas katastrofës, Yasuo pa zhytësit e Rojës Bregdetare japoneze duke kërkuar trupat e personave të zhdukur. Pikërisht atëherë vendosi të mësonte zhytjen, edhe pse nuk e kishte praktikuar kurrë më parë.
“Mendova se, për sa kohë që vazhdoja të zhytesha, një ditë mund ta takoja përsëri”, thotë ai.
Kur Yasuo i tregoi Masaaki Narita-s se do të kërkonte edhe vajzën e tij, Emi, ky i fundit vendosi t’i bashkohej.
Të dy ishin në mesin e të pesëdhjetave dhe mësimi i zhytjes nuk ishte i lehtë. Yasuo kishte frikë se mund t’i mbaronte oksigjeni, ndërsa Masaaki e kishte të vështirë të kontrollonte trupin dhe frymëmarrjen nën ujë.
Megjithatë, asnjëri nuk mendoi të dorëzohej. Pas muajsh stërvitjeje, ata morën licencën e zhytjes dhe realizuan dhjetëra kërkime në fundin e detit.
“Kërkimi për vajzën time më ka ndihmuar të bëhem disi më pozitiv. Nëse dorëzohem, mundësia për ta gjetur është zero. Nëse vazhdoj, të paktën ekziston një mundësi”, thotë Masaaki.
Gjatë zhytjeve, ata kanë gjetur albume dasmash, fotografi, portofola, dokumente bankare dhe sende personale, të cilat ia kanë kthyer familjeve ose ia kanë dorëzuar policisë.
Por ende nuk kanë gjetur Yuko-n apo Emi-n. Rreth pesë milionë tonë mbetje u tërhoqën në det nga cunami, ndërsa trupat e më shumë se 2 mijë personave nuk u gjetën kurrë.
Pavarësisht se mundësia për të gjetur diçka zvogëlohet me kalimin e viteve, Yasuo nuk ka ndër mend të ndalet.
“Dua ta vazhdoj kërkimin për aq kohë sa të kem forcë. E di që ajo nuk është më gjallë, por nuk dua që të mbetet vetëm nën det”, shprehet ai.
“E vërteta është se ende dua ta gjej dhe ta kthej në shtëpi.”
