Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka njoftuar se do të padisë një burrë që e ngacmoi seksualisht gjatë një dalje publike në Mexico City.
Ngjarja ndodhi të martën, pranë Pallatit Kombëtar, ku Sheinbaum po përshëndeste qytetarët. Në një video të publikuar në rrjete sociale, shihet një burrë që i afrohet nga pas dhe përpiqet ta puthë në qafë, duke vendosur duart mbi të. Presidentja largohet menjëherë, ndërsa stafi i saj ndërhyn për ta ndalur autorin, i cili është arrestuar nga policia.
“Nëse unë nuk bëj kallëzim, çfarë do të ndodhë me gratë e tjera në vendin tonë? Nëse e bëjnë këtë ndaj presidentes, imagjinoni çfarë ndodh me gratë e zakonshme,” deklaroi Sheinbaum në konferencën e shtypit të së mërkurës.
Presidentja tha se vendosi të padisë autorin pasi kishte marrë informacione se ai kishte ngacmuar edhe gra të tjera në turmë.
“Duhet vënë një vijë ndarëse,” shtoi Sheinbaum.
Organizatat për të drejtat e grave e kanë cilësuar incidentin si një shembull të kulturës së rrënjosur të machismo-s në Meksikë, ku burrat shpesh ndihen të lirë të ngacmojnë edhe gratë në pozita të larta.
Meksika përballet prej vitesh me një krizë të dhunës ndaj grave, ku rreth 98% e vrasjeve me bazë gjinore mbeten të pandëshkuara.
Sheinbaum, e cila si kandidate kishte premtuar luftë ndaj femicidit, ende nuk ka arritur përmirësime të dukshme në këtë drejtim.
Incidenti ndodhi ndërkohë që në vend po shtohen debatet mbi sigurinë e zyrtarëve publikë, veçanërisht pas vrasjes së kryetarit të bashkisë së Uruapanit, Carlos Manzo, gjatë festimeve të “Ditës së të Vdekurve”. Megjithatë, presidentja ka bërë të qartë se nuk do të ndryshojë stilin e saj të afërt me qytetarët, pavarësisht rrezikut që sjellin këto takime publike
