Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin Osan të Koresë së Jugut, ku një grua shkaktoi zjarr në ndërtesën ku banonte. Ajo po përpiqej të vriste një buburrec me një flakërues të improvizuar.
Mediat e huaja shkruajnë se zjarri rezultoi fatal për një prej fqinjëve të saj, një grua rreth të 30-ave me shtetësi kineze, dhe shkaktoi probleme me frymëmarrjen për disa banorë të tjerë për shkak të tymit.
Sipas burimeve, që citon media lokale, autoritetet koreane kanë njoftuar se do të lëshojnë një urdhër-arresti për gruan përgjegjëse, e cila është e re në moshë.
Ajo deklaroi para policisë se përdori një çakmak dhe një spraj të ndezshëm për të djegur buburrecat, një metodë që kishte përdorur edhe më parë. Por këtë herë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe banesa e saj u përfshi nga zjarri.
Ndërkohë viktima banonte në katin e pestë së bashku me bashkëshortin dhe foshnjën e tyre të sapolindur. Kur panë zjarrin, ata hapën dritaren dhe kërkuan ndihmë. Ata arritën t’ia dorëzonin foshnjën një fqinji në ndërtesën ngjitur, përpara se të përpiqeshin të shpëtonin.
Burri arriti të kalonte në ndërtesën ngjitur, por gruaja ra dhe u dërgua në spital, ku ndërroi jetë disa orë më vonë.
Policia ka njoftuar se autorja e zjarrit mund të përballet me akuza për zjarrvënie nga pakujdesia dhe vrasje nga pakujdesia.
Në vitet e fundit, përdorimi i mjeteve të rrezikshme, si flakërues të improvizuar për të vrarë insekte, është bërë praktikë e përhapur përmes videove virale në rrjetet sociale. Në një rast të ngjashëm më 2018 në Australi, një burrë i vuri zjarr kuzhinës duke përdorur një spraj kundër insekteve si flakërues.
Ndërtesa përmban dyqane në katin përdhes dhe 32 apartamente nga kati i dytë deri në të pestin. Tetë banorë të tjerë u shtruan në spital me probleme në frymëmarrje si pasojë e tymit.