Udhëheqësi i ri suprem i Iran, Mojtaba Khamenei, dyshohet se është plagosur gjatë sulmit ajror të 28 shkurtit që i mori jetën disa anëtarëve të familjes së tij, përfshirë edhe babanë e tij, ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Lajmi u konfirmua nga ambasadori iranian në Qipro, Alireza Salarian, gjatë një interviste të zhvilluar në ambientet e ambasadës në Nikosi. Ai tha se Mojtaba Khamenei ndodhej në rezidencë në momentin e bombardimit dhe arriti të mbijetojë, megjithëse pësoi plagë.
Sipas diplomatit, ai dyshohet se është plagosur në këmbë, dorë dhe krah dhe aktualisht mund të jetë duke marrë trajtim në spital.
Ambasadori shpjegoi gjithashtu se kjo mund të jetë një nga arsyet pse udhëheqësi i ri suprem nuk është shfaqur ende në publik dhe nuk ka mbajtur deklarata që nga momenti kur mori detyrën pas vdekjes së të atit.
Sulmi ndodhi në ditën kur nisën bombardimet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael kundër objektivave në Iran, duke goditur edhe kompleksin presidencial në Teheran.
Sipas raportimeve, në momentin e sulmit, në rezidencën e liderit suprem ndodheshin disa anëtarë të familjes. Mes viktimave ishte edhe bashkëshortja e Mojtaba Khameneit, ndërsa më vonë mediat iraniane raportuan se edhe bashkëshortja e Ali Khameneit ndërroi jetë disa ditë pas sulmit për shkak të plagëve të marra.
