Elena Maraga, mësuese 29-vjeçare në një çerdhe dhe qendër integrimi për fëmijë pranë Trevisos, ka arritur një marrëveshje me institucionin arsimor ku punonte, duke përfunduar zyrtarisht marrëdhënien e punës që ishte ndërprerë në prill, pas një skandali të shkaktuar nga profili i saj në platformën OnlyFans.
Maraga u pezullua pas zbulimit nga një prind se ajo kishte një llogari në faqen përmbajtjesh për të rritur, ngjarje që nxiti një debat të fortë në opinionin publik. Ndërsa disa prindër e mbështetën, të tjerë e kritikuan për këtë fakt.
Avokatja e shkollës, Lucia Riedi, theksoi se institucioni “nuk ka bërë kurrë deklarata që të vënë në dyshim sjelljen profesionale të znj. Maraga gjatë punës”. Megjithatë, shkolla e konsideroi praninë e saj në OnlyFans “të papajtueshme me identitetin fetar të institucionit”.
Në një intervistë për La Repubblica, Maraga e quajti situatën “hipokrizi të pastër”, duke sqaruar se profili i saj përmbante vetëm foto artistike dhe jo përmbajtje eksplicite, dhe se aktiviteti në OnlyFans ishte një mënyrë për të fituar të ardhura shtesë pa ndikuar në punën me fëmijët.
Marrëveshja për mbylljen e kontratës është finalizuar, megjithëse detajet e saj mbeten konfidenciale.