Gruaja që u qëllua për vdekje të mërkurën nga një agjent i Immigration and Customs Enforcement (ICE) në Mineapolis ishte René Nicole MacLean Good, një nënë 37-vjeçare e tre fëmijëve, e cila ishte zhvendosur së fundmi në qytet.
Sipas Associated Press, MacLean Good ishte shtetase amerikane, e lindur në Kolorado, dhe nuk kishte asnjë precedent penal. Në të dhënat zyrtare figuron vetëm një gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në rrjetet sociale, Good e përshkruante veten si “poete, shkrimtare, bashkëshorte dhe nënë”. Në postimet e fundit ajo shkruante se po “njihte Mineapolisin”, ndërsa në profilin e saj në Instagram kishte shtuar emoji-n e flamurit ylber.
Fotografia e profilit të saj në Pinterest e tregonte duke buzëqeshur me një fëmijë të vogël pranë, ndërsa përmbajtja që postonte lidhej kryesisht me tatuazhet, stilimin e flokëve dhe dekorimin e shtëpisë.
Good kishte studiuar shkrim krijues në Old Dominion University në Virxhinia dhe kishte fituar një çmim në vitin 2020 për një nga veprat e saj letrare. Ajo kishte qenë gjithashtu pjesë e një kori në shkollë të mesme dhe kishte studiuar interpretim vokal në universitet.
Në të kaluarën kishte punuar si asistente dentare dhe punonjëse në një union kreditor, por vitet e fundit, sipas ish-bashkëshortit, ishte fokusuar kryesisht te rritja e fëmijëve.
Ish-bashkëshorti i saj, i cili kërkoi të mbetej anonim për arsye sigurie të fëmijëve, deklaroi se të mërkurën në mëngjes Good kishte lënë djalin e tyre 6-vjeçar në shkollë dhe po kthehej në shtëpi me partnerin aktual.
Gjatë rrugës, çifti u përball me një grup agjentësh të ICE në një rrugë të mbuluar me borë në Minneapolis, qytet ku familja ishte zhvendosur vitin e kaluar nga Kansas City, Misuri.
Video të filmuara nga kalimtarë, të cilat po qarkullojnë gjerësisht në internet, tregojnë një agjent të ICE që i afrohet automjetit, i kërkon Good të hapë derën dhe kap dorezën. Kur makina nis të lëvizë, një tjetër agjent, i pozicionuar përpara automjetit, nxjerr armën dhe qëllon të paktën dy herë nga një distancë shumë e afërt.
Në një video tjetër, të regjistruar pas të shtënave, një grua dëgjohet duke qarë pranë automjetit dhe duke bërtitur: “Kjo është gruaja ime, nuk di çfarë të bëj!”
Zyrtarë të administratës së Donald Trump e paraqitën më pas MacLean Good si një person problematik, duke pretenduar se ajo kishte tentuar të përplaste automjetin me agjentët federalë.
Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, deklaroi në një konferencë për shtyp se viktima “po i vëzhgonte autoritetet dhe po pengonte punën e tyre gjatë gjithë ditës”. Ajo shtoi se agjenti që hapi zjarr kishte qenë më herët viktimë e një incidenti të ngjashëm, ku ishte goditur nga një automjet dhe tërhequr për disa metra.
Ish-bashkëshorti i Good i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se ajo nuk ishte aktiviste dhe nuk kishte marrë pjesë kurrë në protesta. Ai e përshkroi atë si një të krishterë të përkushtuar, e cila në rininë e saj kishte marrë pjesë në misione fetare në Irlandën e Veriut.
Nëna e saj, Donna Ganger, deklaroi për Minnesota Star Tribune se familja u njoftua për vdekjen e René-s vonë paraditen e së mërkurës.
“René ishte një nga njerëzit më të mirë që kam njohur ndonjëherë,” tha ajo. “Ishte jashtëzakonisht e dhembshur, plot dashuri dhe falje. U kujdesej njerëzve gjatë gjithë jetës së saj. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm.”
