Një nga vajzat e përfshira në skandalin e ‘famëkeqit’ Jeffrey Epstein është Juliette Bryant, e cila së fundmi ndau detaje tronditëse për mënyrën si u rekrutua dhe u dërgua në SHBA me premtimin e një karriere si modele.
Bryant jetonte në Afrikën e Jugut, ku studionte psikologji dhe filozofi, ndërsa kishte nisur të punonte edhe si modele, kur takoi Epstein në një restorant.
“Një natë, kur isha jashtë, një vajzë m’u afrua dhe më tha se njihte një burrë që ndodhej aty, të cilin e quanin ‘Mbreti i Amerikës’. Ai ishte me Bill Clinton, Kevin Spacey dhe Chris Tucker. Më thanë se miku i tij, Leslie Wexner, zotëronte Victoria’s Secret dhe se takimi me ta mund të më ndihmonte në karrierën time si modele”, kujton ajo.
Sipas dëshmisë së saj, më pas u organizua një takim në një restorant ku ndodheshin Epstein dhe persona të tjerë me ndikim.
“Më telefonuan dhe më thanë se Epstein ishte i interesuar të shihte portofolin tim të modelimit, pasi mund të isha e përshtatshme për Victoria’s Secret. Nga zyra e tij më siguruan vizë, bileta dhe çdo gjë të nevojshme për të udhëtuar në Amerikë”, tregon ajo.
Bryant tregon se procedurat për vizat u përshpejtuan në mënyrë të pazakontë.
“Zakonisht është shumë e vështirë të marrësh vizë në Afrikën e Jugut, por brenda rreth tre javësh isha në SHBA”, tha Bryant.
Ajo thotë se vetëm vite më vonë e kuptoi se çfarë kishte ndodhur realisht.
“Mu deshën vite për të kuptuar se më kishin rrëmbyer. Në atë kohë isha thjesht e tronditur, sidomos sepse përfshinte njerëz në pozita pushteti. Më çuan në një ishull, ku isha e izoluar. Nuk më ofruan kurrë mundësi modelimi. Në thelb, më mashtruan”, u shpreh ajo.
