Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se forcat ruse nuk po tërhiqen nga Ukraina, por po ripozicionohen.
Megjithëse Moska kishte deklaruar për një reduktim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, bombardimet kanë vazhduar. Ndërkohë, presidenti ukrainas kërkoi më shumë ndihma ushtarake nga perëndimi dhe vënien para drejtësisë të Rusisë, në tri video-lidhje me parlamentin australian, holandez dhe atë belg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Rusia ka gënjyer vazhdimisht rreth qëllimeve të saj në Ukrainë, prandaj, siç u shpreh ai, aleanca gjykon veprat e jo fjalët e Moskës.
Jens Stoltenberg i bëri këto komente pas njoftimeve të Kremlinit për ulje të operacioneve ushtarake rreth Kievit, ndërsa bombardimet po vazhdonin. Perëndimi e quajti këtë lëvizje të Rusisë një taktikë për t’u riorganizuar.
“Sipas të dhënave të zbulimit, njësitë ruse nuk po tërhiqen por po ripozicionohen. Rusia po mundohet të rigrupohet, rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ai shtoi se trysnia ndaj Kievit dhe qyteteve tjera pritet të vazhdojë, duke sjellë më shumë vuajtje. Udhëheqësi i NATO-s tha gjithashtu se aleanca nuk është e bindur se Rusia po negocion në mirëbesim në bisedimet e paqes në Stamboll.
“Kemi parë pak vullnet nga pala ruse për të arritur një zgjidhje politike. Ajo që ne shohim është sulmi i vazhdueshëm ushtarak kundër Ukrainës dhe bombardimet e vazhdueshme të qyteteve”, tha Stoltenberg.