Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Francë, ku një djalë 9-vjeçar u gjet i gjallë pasi kishte kaluar rreth një vit i mbyllur në një furgon nga babai i tij në fshatin Hagenbach.
Rasti u zbulua pasi fqinjët njoftuan policinë për zërin e një fëmije që vinte nga automjeti. Forcat e rendit ndërhynë dhe hapën furgonin me forcë, duke gjetur fëmijën në gjendje të rëndë: i kequshqyer, i zhveshur, i mbuluar me një batanije dhe i vendosur mes mbeturinash.
Sipas prokurorit Nicolas Heitz, ai ishte në gjendje të rënduar fizike dhe nuk mund të ecte më për shkak të izolimit të zgjatur.
Hetimet zbuluan se djali ishte mbyllur që nga nëntori i vitit 2024, kur ishte vetëm 7 vjeç. Babai pretendoi se e kishte bërë këtë për ta mbrojtur, pasi partnerja e tij donte ta dërgonte në një institucion psikiatrik. Megjithatë, autoritetet theksuan se nuk ka prova që fëmija të kishte probleme të tilla dhe se ai kishte pasur ecuri të mirë në shkollë.
Detaje të reja nga hetimet
Mediat raportojnë se, fqinjët kishin vënë re zhdukjen e papritur të djalit në fund të vitit 2024, ndërsa familjarët u kishin thënë se ai ishte vendosur në kujdestari. Disa banorë deklaruan se kishin dëgjuar zhurma nga furgoni, por u ishte thënë se vinin nga një mace.
Partnerja e babait ka mohuar çdo dijeni për praninë e fëmijës në furgon, por prokuroria e ka akuzuar për “mosndihmë ndaj një të mituri në rrezik” dhe “mosdenoncim të keqtrajtimit të një të mituri”.
Babai është lënë në liri me kusht, ndërsa motra 12-vjeçare e viktimës dhe vajza 10-vjeçare e partneres së tij janë vendosur nën kujdesin e shërbimeve sociale. Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse persona të tjerë kanë qenë në dijeni të situatës.
Sipas prokurorisë, miq dhe familjarë kishin besuar se djali ndodhej në një institucion psikiatrik, ndërsa mësuesve u ishte thënë se ai ishte transferuar në një shkollë tjetër. Emrat e viktimës dhe familjarëve nuk janë bërë publikë.
Hetimet për këtë rast të rëndë të abuzimit dhe izolimit të një të mituri po vijojnë.
