Një alarm për bombë u dha të enjten në mbrëmje në Uashington, ku autoritetet amerikane po hetojnë një kërcënim të dyshuar me eksploziv në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC).

Sipas burimeve nga vendngjarja, Policia e Kapitolit ka ndërhyrë menjëherë dhe ka evakuuar zonën, ndërsa po zhvillohen kontrolle të imtësishme në ndërtesë. Deri në këto momente, nuk është gjetur asnjë pajisje shpërthyese, por hetimet vijojnë në terren.

Një njoftim urgjent është shpërndarë përmes komunikimeve të brendshme, duke paralajmëruar stafin që të qëndrojë larg selisë qendrore së partisë, e cila ndodhet në një zonë të afërt me Kapitolin.

Në mesazhin dërguar punonjësve thuhej:

“Ju lutemi njoftoni stafin tuaj. Policia e Kapitolit po i përgjigjet një incidenti në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC). Stafit i kërkohet të qëndrojë larg aktivitetit të policisë.”

Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e kërcënimit apo nëse ka ndonjë person të dyshuar në hetim.

Policia dhe autoritetet federale kanë vendosur një perimetër sigurie përreth zonës dhe pritet që në orët në vijim të jepen më shumë informacione rreth këtij incidenti.