Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të jetë mysafir nderi në festimet e 35-vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, më 3 tetor. Ai pritet të mbajë një fjalim në Saarland, në Ditën e Bashkimit Gjerman, duke u bërë udhëheqësi i parë i huaj që flet në këtë ngjarje pas më shumë se 20 vitesh.
“Kjo padyshim do të jetë një nga Ditët e Bashkimit Gjerman më europiane që kemi pasur ndonjëherë,” u shpreh Anke Rehlinger, kryeministrja e Saarland dhe presidente e Bundesrat.
Ceremonia do të zhvillohet në Sallën e Kongreseve në Saarbrucken, ku do të jenë të pranishëm rreth 900 të ftuar, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, personalitete nga politika, biznesi, feja dhe shoqëria civile.
Gjermania shënon çdo vit më 3 tetor ditën e ribashkimit, që pas rënies së Murit të Berlinit në 1989 dhe bashkimit të vendit në vitin 1990, pas më shumë se katër dekadash ndarje gjatë Luftës së Ftohtë.