Biletat e avionit drejt destinacioneve evropiane pritet të pësojnë rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë vitit 2027. Paralajmërimi vjen nga kompania ajrore Ryanair, e cila parashikon shtrenjtim deri në 20% të tarifave, si pasojë e rritjes së kostove të karburantit në tregjet ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary, bëri të ditur se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e karburantit, duke shtuar presionin financiar mbi kompanitë ajrore. Sipas tij, nëse situata gjeopolitike nuk zgjidhet në një kohë të shkurtër, kostot e larta mund të vazhdojnë edhe përgjatë vitit të ardhshëm.

Ryanair vlerëson se shpenzimet për karburantin mund të pësojnë një rritje prej rreth 2 miliardë eurosh në periudhën e afërt. Megjithëse kompania ka siguruar 80% të furnizimit përmes kontratave me çmime të paracaktuara, pjesa tjetër mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut.

Përballë kësaj situate, kompania po shqyrton edhe masa për uljen e shpenzimeve, mes të cilave ngrirjen e përkohshme të pagave të punonjësve, duke nisur nga prilli i vitit të ardhshëm. Në plan është gjithashtu kufizimi i ritmit të punësimeve dhe zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në sektorët administrativë.

Ky propozim ka hasur kundërshtimin e sindikatës Unite. Përfaqësuesi i saj, Oliver Richardson, deklaroi se punonjësit nuk janë informuar për një nismë të tillë, ndërsa kujtoi se marrëveshja aktuale shumëvjeçare për pagat përfshin edhe vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, rezultatet financiare të Ryanair tregojnë një rënie prej 16% të fitimeve para taksave, të cilat arritën në 2.4 miliardë euro për gjashtëmujorin që përfundoi në fund të shtatorit. Kompania e lidh këtë ecuri, ndër të tjera, me rritjen prej 15% të kostove të karburantit.