Autoritetet ukrainase akuzuan shtatë persona të lidhur me një aferë korruptive me vlerë 100 milionë dollarë, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të kompanisë shtetërore të energjisë, Energoatom.

Ukraina është nën presion për të forcuar luftën kundër korrupsionit ndërsa përpiqet të hyjë në Bashkimin Evropian dhe të ruajë mbështetjen e partnerëve perëndimorë, në një kohë kur përballet me sulme ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Zyra Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit në Ukrainë (NABU) njoftoi se ka arrestuar pesë persona dhe ka identifikuar dy të tjerë për komplot në kontrollin e prokurimeve në kompanitë shtetërore, veçanërisht në Energoatom, kompania kryesore e energjisë bërthamore.

Sipas një burimi të njohur me çështjen, organizatori kryesor i aferës është Timur Mindich, ish-bashkëpunëtor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Mindich, i cili ka bashkëpunuar me shtëpinë produksioni Kvartal 95, ku lideri ukrainas ndërtoi karrierën para se të hynte në politikë, nuk ka përgjigjur kërkesës për koment.

Thuhet se mes të akuzuarve janë ish-këshilltari i ministrit të Energjisë, shefi i sigurisë së Energoatomit dhe katër punonjës të kompanisë, ndërsa ish-nënkryetari i qeverisë më vonë u identifikua si një tjetër i dyshuar.

Ministria e Drejtësisë konfirmoi se ministri German Galushchenko, i cili më parë ka qenë ministër i Energjisë, ishte objekt i hetimeve, por nuk dihet nëse ai është i lidhur me hetimin e NABU-s.

Kjo e fundit njoftoi dje nisjen e hetimeve, ndërsa Ukraina përgatitet për një sezon të vështirë dimëror me ndërprerje të mundshme të energjisë për shkak të sulmeve ruse. Energjia bërthamore është kyçe për furnizimin me energji elektrike në vend, ndaj stabiliteti i Energoatomit është vendimtar për funksionimin e sistemit energjetik ukrainas.