“Plani i paqes me 28 pika i kërkon Ukrainës të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe kjo është e papranueshme”, deklaron për Leon Panetta, ish-Sekretar i Mbrojtjes dhe ish-drejtor i CIA-s.
Sipas tij, megjithëse pika e parë “konfirmon sovranitetin e Ukrainës”, pjesa tjetër e dokumentit e minon atë dhe “i plotëson pothuajse të gjitha kërkesat e Rusisë”, pa u konsultuar seriozisht me Kievin. Për këtë arsye Panetta kërkon që Ukraina dhe aleatët evropianë të paraqesin një kundërpropozim.
Sipas Corriere Della Sera, sa i përket Trump-it, Panetta vëren se ai shpesh ndryshon afatet dhe rinegocion, ndaj plani aktual është vetëm “pika e fillimit”. Ai shton se problemi kryesor mbetet “paqëndrueshmëria e Putinit”, i cili e percepton dobësinë amerikane dhe do të vazhdojë të shtyjë për më shumë. Europa, sipas tij, duhet të tregojë se do të mbështesë Ukrainën edhe nëse SHBA tërhiqet.
Panetta beson se Europa mund të veprojë e vetme dhe se ky është një moment kritik për të mbrojtur jo vetëm sovranitetin e Ukrainës, por edhe të vetin. Ai mendon se kryeministrja Meloni, falë marrëdhënies me Trump-in, mund të luajë një rol të rëndësishëm në shpjegimin se kushtet ruse janë të papranueshme.
Sa i përket Witkoff-it, Panetta e quan “jo kompetent” dhe “të dorëzuar ndaj narrativës ruse”.
Territori dhe siguria, sipas tij, janë të panegociueshme: Ukraina nuk mund të shpërblejë agresionin rus dhe nuk mund t’i ndalohet anëtarësimi në NATO.
Ai paralajmëron se një tërheqje amerikane nga Ukraina do t’i dërgonte një sinjal dobësie Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit. Sanksionet e reja ndaj kompanive ruse të naftës janë një hap, por “jo i mjaftueshëm” për të detyruar Putinin të negociojë.
Panetta thotë se veprimi i Trump-it vjen në një moment kur ai është dobësuar nga zgjedhjet, polemikat e brendshme dhe presioni mbi inflacionin, çka e bën situatën edhe më të rrezikshme.
Ai kujton se “Ukraina është viktima” dhe se çdo marrëveshje duhet të garantojë drejtësi dhe siguri për të. Për takimin e Trump-it me princin saudit, Panetta shprehet kritik. “Ai nuk është një negociator i mirë. Po veprojnë pa strategji afatgjatë, thjesht duke provuar fatin”, tha ai.
Pjesë nga intervista:
A mendoni se Trump është i hapur ndaj ndryshimeve? Dje, ai tha se afati është e enjtja, por gjithashtu se afatet mund të zgjaten nëse ka përparim.
“Presidenti njihet për tendencën e tij për të ndryshuar afatet, si me tarifat. Ai gjithmonë bën kërcënime, por ato nuk realizohen gjithmonë. Gjëja më e rëndësishme tani është të demonstrohet një front i bashkuar midis Evropës dhe Ukrainës. Elementet e këtij propozimi janë të papranueshme; ato duhet të ndryshohen. Dhe kjo do të fillojë negociatat, dhe do të shohim se ku do të shkojë, por problemi ka qenë gjithmonë paqëndrueshmëria e Putinit. Putini e ndjen dobësinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojë të kërkojë çfarëdo që dëshiron. Mendoj se evropianët duhet ta bëjnë të qartë se nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërhiqen, ato do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftë: ky është mesazhi që ata duhet t’ua përcjellin si Trumpit ashtu edhe Putinit. Ne duhet të përpiqemi të arrijmë një armëpushim, por jo me kushtet ruse.”
A mendoni se evropianët mund ta bëjnë këtë vetëm?
“Absolutisht. Kam besim të madh te udhëheqësit evropianë dhe besueshmëria e tyre. Ky është një moment kur ata duhet të kuptojnë se ajo që ndodh në këto negociata do të jetë kritike për të mbrojtur jo vetëm sovranitetin e Ukrainës, por edhe të tyren.”
Çfarë mund të bëjë kryeministrja Meloni?
“Duke pasur parasysh marrëdhënien e saj me Trumpin, ajo mund të jetë thelbësore në shpjegimin e Trumpit se pranimi i kushteve të dorëzimit të Rusisë është i papranueshëm. Të gjithë janë në favor të vazhdimit të negociatave, por kushdo që mbështet Kievin nuk dëshiron një dorëzim.”
