Në një zhvillim të papritur diplomatik që mund të shënojë një kthesë historike në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë janë mbledhur në Paris për të diskutuar një propozim armëpushimi që, nëse pranohet, do të ngrinte konfliktin në terren dhe do të pezullonte përkohësisht rrugëtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO. Nën tensionin e pritshmërive të larta dhe kundërshtive të forta, takimi përfshiu emra të mëdhenj si presidenti francez Emmanuel Macron, i dërguari amerikan Steve Witkoff. Përveç tyre, ishin të pranishëm edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe këshilltarë e negociatorë për sigurinë kombëtare nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Ukraina. Kjo ngre pikëpyetje, nëse është ky fillimi i fundit të luftës, apo thjesht një pauzë në një betejë të gjatë dhe të komplikuar.

Tërheqja nga negociatat

Rubio tha se administrata e presidentit amerikan Donald Trump është e gatshme të tërhiqet nga negociatat nëse nuk ka përparim së shpejti. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha në Romë se ai është “optimist” për shanset për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. “Bloomberg” tha më parë se zyrtarët amerikanë kanë treguar se duan që një armëpushim i plotë të arrihet brenda disa javëve të ardhshme. Vendet në fjalë do të takohen në Londër të Anglisë javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet mbi armëpushimin.

Një zyrtar tha se planet që po përpilohen në Paris duhet t’i paraqiten Kievit. Ato nuk do të jenë marrëveshja përfundimtare dhe Evropa nuk do ta njohë territorin e pushtuar ukrainas si rus. Kur bëhet fjalë për lehtësimin ose heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës, disa prej aleatëve të Kievit nuk do t’i pëlqejë ideja e heqjes së tyre ndërkohë që ushtria ruse kontrollon pjesë të konsiderueshme të Ukrainës. Që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet që vendosi ndaj Moskës, të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord.

Bisedimet në Paris

Kievi tashmë ka rënë dakord për një armëpushim dhe ka argumentuar se Moska gjithashtu duhet të pajtohet me të. Kievi thotë se asgjë tjetër nuk mund të diskutohet ndërkohë që konflikti vazhdon. Delegacioni ukrainas në Paris ishte në krye të diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe paqeruajtësve që do ta sigurojnë atë. Zyrtarët evropianë thanë se bisedimet në Paris ishin konstruktive dhe pozitive. Pas negociatave, Rubio tha se Amerika nuk do të merrte pjesë në këtë përpjekje nëse do të zgjaste me javë apo muaj. “Ne duhet të përcaktojmë brenda ditëve të ardhshme nëse kjo është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse është, ne do të marrim pjesë. Nëse nuk është, ne kemi përparësi të tjera,” tha Rubio.

Goditja për Ukrainën

Në Paris u fol edhe për të ashtuquajturat forca të bindjes – njësi që do të garantonin se Rusia dhe Ukraina nuk do të shkelnin kushtet e marrëveshjes. Këto forca duhet gjithashtu të sigurojnë që ushtria ukrainase të ketë fuqi punëtore dhe burime të mjaftueshme për të operuar. I dërguari i SHBA Steve Witkoff tha se marrëveshja sillet rreth “pesë territoreve”. Rusia kërkon që çdo marrëveshje paqeje të përfshijë njohjen e rajoneve të Ukrainës që ka pushtuar që nga viti 2014 – gadishullin e Krimesë dhe rajonet Zaporizhia, Kherson, Lugansk dhe Donetsk. Moska e lidhi marrëveshjen me armëpushimin me heqjen e disa sanksioneve të vendosura ndaj saj dhe gjithashtu kërkoi që të ndalohej dërgimi i armëve në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se Steve Witkoff “mori përsipër strategjinë ruse” dhe se ai nuk ka të drejtë të negociojë për territorin ukrainas, sepse ai i përket “popullit ukrainas”. “Derisa të hyjë në fuqi armëpushimi, ne nuk do të diskutojmë territorin. Ne kurrë nuk do ta njohim territorin ukrainas si rus,” tha Zelensky.