Rusia aktualisht ka kapacitetin të lëshojë njëkohësisht deri në 77 raketa balistike, ndërsa synon që këtë shifër ta rrisë në 200. Paralajmërimi është bërë nga Robert “Magyar” Brovdi, komandanti që drejton forcat ukrainase të dronëve, në një deklaratë për Associated Press.

“Edhe nëse arrijnë vetëm gjysmën e kësaj shume, e gjitha do të na bjerë përpjetë”, është shprehur Brovdi, duke nënvizuar shqetësimin për kapacitetet në rritje të Moskës për sulme me raketa balistike.

Sipas tij, një nga problemet më të mëdha të Ukrainës mbetet mungesa e interceptorëve për sistemet amerikane Patriot, të cilat konsiderohen të vetmet sisteme në arsenalin ukrainas të afta të përballojnë raketat balistike.

Mungesa e municioneve interceptuese ka bërë që një pjesë e raketave të lëshuara gjatë sulmeve masive ruse të arrijnë objektivat e tyre. Ndërkohë, sinjalet nga Shtetet e Bashkuara lidhur me furnizimin e mëtejshëm me interceptorë Patriot kanë qenë të paqarta.

Brovdi argumenton se për të reduktuar kërcënimin duhet goditur infrastruktura që lidhet me prodhimin e raketave ruse. Kjo qasje lidhet edhe me operacionet ukrainase me rreze të gjatë brenda territorit të Rusisë.

Paralajmërimi vjen në një moment kur Ukraina po intensifikon përpjekjet për të goditur pozicionet ruse në Krime dhe për të ndërprerë linjat e furnizimit.

Komandanti ukrainas tha gjithashtu se njësitë e tij do të mund të rrisnin ndjeshëm numrin e objektivave të goditura në Krime nëse financimi i premtuar nga partnerët perëndimorë do të mbërrinte më shpejt.

Sipas Brovdit, aktualisht forcat e tij operojnë me vetëm rreth 14% të kapacitetit që do të mund të arrinin në kushte financimi të plotë.

“Problemi nuk është kapaciteti prodhues i industrisë ukrainase për të prodhuar sasitë e nevojshme. Problemi është financimi i vonuar”, deklaroi ai.

Që prej nisjes së ofensivës në fund të qershorit, forcat ukrainase kanë ndërmarrë sulme ndaj urave hekurudhore, depove të naftës dhe infrastrukturës energjetike, me synimin për të ndërprerë linjat ruse të furnizimit.

Sipas të dhënave të paraqitura nga pala ukrainase, gjatë këtyre operacioneve janë shkatërruar më shumë se 300 asete të mbrojtjes ajrore ruse, përfshirë sisteme tokë-ajër, radarë dhe pajisje të luftës elektronike, duke synuar krijimin e korridoreve më të favorshme për operacionet me dronë.