Ish-zëdhënësja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Yulia Mendel, është akuzuar për tradhti të lartë nga autoritetet ukrainase. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e prokurorit, e cila pretendon se ajo ka justifikuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Mendel, e cila ka shërbyer si zëdhënëse e Zelensky-t nga viti 2019 deri në vitin 2021, është kthyer vitet e fundit në një prej kritikëve të tij më të zëshëm. Ajo e ka akuzuar vazhdimisht presidentin ukrainas për korrupsion dhe prirje autoritare.

Sipas prokurorisë, ish-zëdhënësja ka përdorur njohjen dhe përvojën e saj për të bërë deklarata që, sipas autoriteteve, favorizojnë Rusinë dhe synojnë të dëmtojnë imazhin e Ukrainës.

Hetuesit i referohen deklaratave të saj për mungesën e lirisë së shprehjes në Ukrainë, rrezikun e zhdukjes së vendit si shtet, korrupsionin politik dhe persekutimin e zërave kundërshtarë.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se këto deklarata përputhen me narrativat ruse dhe mund të ndikojnë negativisht në moralin e shoqërisë ukrainase.

Nga ana tjetër, Yulia Mendel i ka hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar formulimin e tyre si dëshmi se kritikat e saj janë të drejta. Ajo e ka përshkruar çështjen si çmimin që duhet të paguajë për ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe përpjekjet për të shpëtuar Ukrainën.

Më herët, në shtator, Zelensky kishte vendosur masa kufizuese ndaj saj, ndërsa Mendel jeton jashtë Ukrainës.

Pavarësisht kritikave ndaj presidentit, ish-zëdhënësja ka dënuar pushtimin rus, por ka mbrojtur arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë me Moskën, duke argumentuar se vazhdimi i luftës rrezikon ekzistencën e Ukrainës si shtet.