Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur publikisht negociatat me Iranin, duke deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme do të jetë “e mirë dhe e duhur”, ndryshe nga ajo e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.
Në një postim në platformën e tij sociale, Trump sulmoi kritikët dhe theksoi se marrëveshja që po diskutohet aktualisht nuk do t’i hapë rrugë Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore.
“Nëse bëj një marrëveshje me Iranin, do të jetë një marrëveshje e mirë dhe e duhur, jo si ajo që bëri Obama, e cila i dha Iranit shuma të mëdha parash dhe një rrugë të lehtë drejt një arme bërthamore”, shkroi Trump.
Ai shtoi se marrëveshja ende nuk është negociuar plotësisht dhe se detajet e saj nuk janë bërë publike.
“Marrëveshja jonë është krejt e kundërta, por askush nuk e ka parë apo nuk e di se çfarë përmban. Ajo ende nuk është negociuar plotësisht”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump kritikoi gjithashtu kundërshtarët politikë, duke thënë se ata po komentojnë negociatat pa njohur detajet konkrete të diskutimeve.
“Ndryshe nga paraardhësit e mi, të cilët duhet ta kishin zgjidhur këtë problem vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija”, u shpreh ai.
