“Unë jam Matteo Messina Denaro”, këto ishin fjalët e para të bosit të mafias së ‘Cosa Nostras’ që u arrestua sot gjatë një operacioni blic të organizuar nga prokuroria e Palermos dhe Ros. “Si e ke emrin?” e pyeti policia. “Unë jam Matteo Messina Denaro”, është përgjigjur ai.
Kapelë, pallto prej lëkure deleje për meshkuj dhe syze të errëta. Kështu është paraqitur Matteo Messina Denaro në momentin e arrestimit. Denaro i cili shoqërohej nga karabinierët, eci me pranga për disa qindra metra përgjatë rrugës së klinikës pas arrestimit dhe më pas është futur në makinën e policisë, shkruajnë mediat italiane.
Sot Anti-Mafia Italiane arrestoi pas 30 vitesh në kërkim bosin e mafias famëkeqe Cosa Nostra, Messina Denaro. Ai u arrestua në një klinikë private në Palermo. Ai ishte duke marrë trajtim rreth orës 09:00, kur karabinierët zbarkuan dhe mbi 100 policë u përfshinë në arrestimin e tij. Messina Denaro është dënuar dhe gjykuar në mungesë për një sërë vrasjesh, përfshirë edhe ekzekutimin e dy prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992.
Skeda e tij kriminale vazhdon me të tjera ngjarje të rënda si sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi që ishte kthyer në të penduarin e drejtësisë. Denaro mbikëqyri gjithashtu shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra.
Ajo që ra në sy ishte se italianët në rrugë përshëndetën karabinierët dhe punën e tyre për arrestimin e bosit të mafias.