Donald Trump kërcënoi të hënën se nuk do të lejonte hapjen e një ure në ndërtim e sipër që do të lidhë Kanadanë me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “të paktën gjysma” e infrastrukturës duhet t’i përkasë vendit të tij.
“Nuk do ta lejoj hapjen e kësaj ure derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë atyre (red. Kanadasë) dhe gjithashtu derisa Kanadaja t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara në mënyrë të drejtë dhe me respektin që meritojmë”, tha presidenti amerikan nëpërmjet Truth Social.
«Do të fillojmë negociatat menjëherë», shtoi ai, duke e shkruar fjalën e fundit me shkronja të mëdha, siç bën zakonisht për theksim.
“Me gjithçka që u kemi dhënë, ne duhet të zotërojmë ndoshta të paktën gjysmën e atij burimi”, këmbënguli Donald Trump.
Ura, ende në ndërtim e sipër mbi lumin Detroit, do të lidhë qytetin me të njëjtin emër në shtetin e Miçiganit me qytetin kanadez të Windsor (Ontario).
Projekti filloi në vitin 2018 dhe kostoja totale u vlerësua të arrinte në 6.4 miliardë dollarë kanadezë (4 miliardë euro). Ura është planifikuar të jetë funksionale në vitin 2026.
Sipas një dokumenti nga Autoriteti i Urës Windsor-Detroit, organi që menaxhon projektin, Kanadaja është zotuar të garantojë plotësisht financimin e projektit, por ura do të jetë në pronësi të përbashkët të vendit dhe shtetit amerikan të Michiganit. Ajo do të emërohet sipas legjendës kanadeze të hokejit në akull, Gordie Howe.
Në të njëjtin postim në rrjetin social që ai zotëron personalisht, zoti Trump kritikoi përsëri Otavën për qëllimin e saj për të forcuar bashkëpunimin me Kinën: Pekini “do ta hajë Kanadanë të gjallë”, tha ai.
Presidenti republikan sulmoi gjithashtu paraardhësin e tij demokrat, Barack Obama, i cili i kishte dhënë dritën jeshile projektit.
