Një burrë që vuan burgim të përjetshëm në Britaninë e Madhe për urdhërimin e vrasjes së mbesës së tij, është kthyer në vëmendjen e mediave pas një deklarate të fortë dhe një padie të ngritur.

Banaz Mahmod ishte 20 vjeç kur u vra me urdhër të babait të saj Mahmod Mahmod dhe xhaxhait të saj Ari Mahmod, pasi ajo u largua nga bashkëshorti i saj, i cili e dhunonte dhe abuzonte seksualisht që prej moshës 17-vjeçare, kur ishin martuar me mblesëri.

Xhaxhai Mahmod, 69 vjeç, tani po ngre padi ndaj platformës “ITV”, që ka krijuar një serial të quajtur “Honour” (Nderi) dhe një dokumentar mbi vrasjen. Ai pretendon se në kulturën e tij myslimane irakiane vrasjet e “nderit” janë të pranueshme, por akuzat për përdhunim ia kanë shkatërruar reputacionin.

Në seancën gjyqësore, ai tha se ishte sulmuar në burg dhe se familja e tij ishte viktimë e hakmarrjes.

“Në vendin tim vrasja është normale, pas kohës së vuajtur ke një mundësi të re. Në kulturën time, mëkati dhe krimi më i madh që mund të bësh është përdhunimi dhe ato akuza më kanë shkatërruar jetën dhe reputacionin. Pothuajse të gjitha deklaratat nuk lanë dyshime se akuza për përdhunim ishte me bekimin tim. Në bashkësinë islame, përdhunimi është tabu  është niveli më i lartë i krimit.”, tha ai.

20-vjeçarja Banaz u largua nga një martesë abuzive pasi u përdhunua dhe u rrah nga bashkëshorti i saj, i cili ishte dhjetë vjet më i madh. Ajo u kthye për të jetuar në shtëpinë e familjes në jug të Londrës dhe më pas u dashurua me një burrë kurd, Rahmat Suleimani. Në muajt para zhdukjes së saj, Banaz i raportoi policisë pesë herë se familja e saj e donte të vdekur, por nuk u ndërmor asnjë veprim.

Babai dhe xhaxhai pajtuan 3 kushërinjtë e vajzës për ta kryer vrasjen. Para krimit, ata e përdhunuan njëri pas tjetrit dhe më pas e mbytën pasi e dhunuan brutalisht. Pas krimit të tmerrshëm , trupi i saj u fut në një valixhe dhe u dërgua në Birmingham, ku u varros në kopshtin e një shtëpie të braktisur.

Pas zbulimit të trupit të saj, babai, xhaxhai i Banazit dhe të afërm të tjerë e bashkëpunëtorë të familjes u akuzuan për vrasjen e saj ose për komplot në të.