Irani ka reagur për herë të parë, pas akuzave të ngritura nga SHBA, se Teherani zyrtar kishte organizuar një plan për eleminimin e Donald Trump, para zgjehdjeve.

Ministri i Jashtëm Seyed Abbas Araghchi ka thënë se këto janë akuza të fabrikuara, duke shtuar se Irani respekton zgjedhjen e Amerikës për president. Megjithatë, ai theksoi thirrjet për “respekt” midis dy vendeve.

“Me një zgjedhje tjetër, fabrikohet një skenar i ri me të njëjtin qëllim: pasi një vrasës nuk ekziston në realitet, skenaristët sillen për të prodhuar një komedi të dorës së tretë. Tani, kush mund të besojë në mendjen e tij të mirë se një vrasës i supozuar ulet në Iran dhe flet në internet me FBI-në?”, tha Seyed Abbas Araghchi.

Irani nuk është pas armëve bërthamore, pikë. Kjo është një politikë e bazuar në mësimet islame dhe llogaritjet tona të sigurisë. Nevojitet ndërtimi i besimit nga të dyja palët. Nuk është një rrugë njëkahëshe”,– tha ai.

Një shtetas iranian është akuzuar për një komplot të dyshuar për të vrarë Donald Trump para zgjedhjeve presidenciale, tha dje Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Një ankesë penale e depozituar në gjykatën federale në Manhatan pretendon se një zyrtar i paidentifikuar në Korpusin Paraushtarak të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) udhëzoi një kontakt në shtator për të hartuar një plan për të anketuar dhe në fund të fundit për të vrarë presidentin e zgjedhur.