Trupat e Gardës Kombëtare të Kalifornisë janë vendosur në rrugët e Los Anxhelosit mes përshkallëzimit të protestave kundër politikave të imigracionit të administratës Trump. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e cilësoi këtë veprim si “të paligjshëm” dhe paralajmëroi se do të padisë administratën federale për shkelje të sovranitetit shtetëror.

Protestat, të cilat hynë në ditën e tretë, janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Policia e Los Anxhelosit raportoi mbi 40 arrestime në dy ditë, ndërsa shpalli disa tubime si “mbledhje të paligjshme”. Pamje filmike tregojnë makina të djegura dhe përplasje të drejtpërdrejta, përfshirë një moment kur një grup protestuesish bllokoi autostradën 101.

Sipas autoriteteve, trupat e Gardës Kombëtare janë vendosur për të mbrojtur ndërtesat dhe personelin federal. Komanda Veriore e SHBA konfirmoi vendosjen e 300 trupave në tre pika në zonën e qytetit, ndërsa 500 marinsa në Kampin Pendleton janë në “alarm të lartë”.

Presidenti Trump, në një reagim në rrjetet sociale, i cilësoi protestuesit si “turma të dhunshme kryengritësish” dhe paralajmëroi masa të rënda nëse dhuna vazhdon. “Ata pështyjnë, ne godasim,” deklaroi ai, duke nënkuptuar një qasje më të ashpër të mundshme ndaj trazirave.

Nga ana tjetër, kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, i quajti të panevojshme masat e ndërmarra nga administrata Trump, por dënoi edhe aktet e dhunshme nga ana e protestuesve. Ajo tha se “kaosi po frymëzohet nga administrata federale”.

Ndërkohë, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, kritikoi ashpër bastisjet dhe vendosjen e Gardës Kombëtare, duke bërë thirrje për një reformë të thellë të sistemit të emigracionit dhe jo dhunë.

Çështja ka ngritur pikëpyetje ligjore për kompetencat e presidentit mbi Gardën Kombëtare. Ligji federal kërkon që një urdhër për vendosjen e Gardës Kombëtare të kalojë përmes guvernatorit të shtetit përkatës, përveç rasteve të kryengritjes së hapur, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Zhvillimet në Kaliforni po shënojnë një tjetër përplasje të ashpër mes qeverisë federale dhe autoriteteve lokale, në një moment kur çështjet e emigracionit dhe të drejtave civile po dominojnë skenën politike amerikane.