Një kontroll i papritur në një spital në Brazil ka shkaktuar një përplasje të ashpër mes kryebashkiakut dhe dy mjekëve të turnit të natës. Carlinhos da Pedreira, kryebashkiaku i qytetit Barreiros, pretendon se i gjeti ata në një dhomë pushimi, ndërsa pacientët prisnin të merrnin ndihmë në urgjencë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 nëntorit, në spitalin bashkiak “Jailton Messias de Albuquerque”, pas ankesave të shumta të qytetarëve për vonesat në shërbimin mjekësor.
Gjatë inspektimit pa paralajmërim, kryebashkiaku konstatoi se disa pacientë po prisnin në urgjencë dhe më pas shkoi në ambientet e personelit mjekësor. Aty gjeti të mbyllur me çelës një dhomë pushimi, ku ndodheshin një mjek dhe një mjeke.
I revoltuar nga ajo që pa, ai i akuzoi dy profesionistët se po kryenin marrëdhënie intime gjatë orarit të punës, ndërsa pacientët prisnin për t’u vizituar. Në videon e publikuar në rrjetet sociale dëgjohet t’u drejtohet me fjalët: “Urgjenca është plot, ndërsa ju bëni seks”.
Sipas kryebashkiakut, në atë turn ishin planifikuar të shërbenin tre mjekë, por në momentin e kontrollit vetëm njëri prej tyre po kujdesej për pacientët. Ai kërkoi largimin e dy mjekëve dhe njoftimin e policisë.
Pas incidentit, Bashkia e Barreiros njoftoi ndërprerjen e kontratës me organizatën “Associação Beneficente João Paulo II”, e cila administronte spitalin. Deri në zhvillimin e një tenderi të ri, drejtimi i institucionit do të merret drejtpërdrejt nga bashkia.
Nga ana tjetër, Sindikata e Mjekëve ka dalë në mbrojtje të dy profesionistëve, duke pretenduar se ata ndodheshin në pushim pas 12 orësh pune intensive dhe se një mjek tjetër po vijonte të trajtonte pacientët. Sipas sindikatës, pushimi gjatë turnit nuk përbën braktisje të detyrës, nëse garantohet vazhdimësia e shërbimit.
Edhe Këshilli Rajonal i Mjekësisë në Pernambuco dënoi ekspozimin publik të mjekëve, duke theksuar se çdo shkelje e mundshme duhet të hetohet përmes procedurave ligjore dhe institucionale, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtën e mbrojtjes së tyre.
