Dy adoleshentë 17-vjeçarë në Kinë janë dënuar nga një gjykatë në Shangai me pagesën e 2.2 milionë juanëve (rreth 260,000 euro) si dëmshpërblim për dy kompani të industrisë ushqimore, pasi urinuan në një tenxhere me lëng mishi në një restorant të rrjetit të njohur Haidilao.
Ngjarja ndodhi në shkurt të vitit të kaluar në një nga degët e restorantit në Shangai dhe shkaktoi reagime të ashpra në publik pasi të rinjtë publikuan një video të aktit në rrjetet sociale. Edhe pse nuk ka prova që lëngu i kontaminuar është konsumuar nga klientët, incidenti vuri në pikëpyetje sigurinë ushqimore dhe reputacionin e restorantit.
Sipas mediave shtetërore, kompania Haidilao kishte kërkuar fillimisht mbi 23 milionë juanë si kompensim, duke përfshirë edhe shumat që kishte paguar vetë për të rimbursuar më shumë se 4,000 klientë që kishin frekuentuar restorantin pas incidentit. Megjithatë, gjykata vendosi se ato pagesa ishin pjesë e një “vendimi biznesi” dhe nuk do të mbulohen nga adoleshentët dhe prindërit e tyre.
Në vendimin e saj, gjykata theksoi se veprimet e të rinjve përbënin “akte fyese” që kishin dëmtuar rëndë reputacionin dhe operimin e kompanisë. Për më tepër, prindërit e të miturve u shpallën përgjegjës për mungesë mbikëqyrjeje dhe do të marrin pjesë në pagesën e dëmshpërblimit.
Nga totali i dënimit, 2 milionë juanë janë caktuar për dëmet ndaj Haidilao, 130,000 juanë për një kompani tjetër të furnizimit me ushqim për humbjen e enëve dhe kostot e pastrimit, ndërsa pjesa tjetër mbulon shpenzimet ligjore.
Restoranti ndërkohë kishte ndërmarrë një sërë masash pas incidentit, përfshirë zëvendësimin e të gjitha tenxhereve dhe një proces të plotë pastrimi dhe dezinfektimi.
Rasti ka hapur debat të gjerë në Kinë për sjelljen e të rinjve, ndikimin e rrjeteve sociale dhe përgjegjësinë prindërore.