Financial Times raporton se Uashingtoni po përgatitet t’i dërgojë Ukrainës 33 mijë dronë të kontrolluar nga inteligjenca artificiale, pjesë e një kontrate me Pentagonin.

Startup-i amerikano-gjerman Auterion, që ka zhvilluar këta dronë, prezantoi “motorin e sulmit të grupit”, të quajtur Nemyx, një softuer që i kthen dronët individualë në një forcë të vetme sulmuese. Ky sistem lejon çdo dron të pajtueshëm të bashkohet me grupin dhe të veprojë si një “ushtri ajrore” e sinkronizuar.

Edhe pse teknologjia e re nuk është testuar ende në fushën e betejës, Auterion ka bërë të ditur se planifikon ta ngarkojë në dronët që do të mbërrijnë në Ukrainë deri në fund të vitit.

Kjo dërgesë konsiderohet si një nga më të mëdhatë e këtij lloji, por ekspertët theksojnë se mbetet modeste krahasuar me qindra mijëra dronë që ushtria ukrainase përdor çdo muaj. Konflikti në Ukrainë prej kohësh shihet si terren testimi për armët më të avancuara nga SHBA dhe Rusia.