Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se ka kryer sulme ajrore ndaj tre anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor, ku janë vrarë tetë persona. Komanda Jugore e SHBA-së publikoi pamje nga sulmet në rrjetet sociale, duke deklaruar se anijet po lëviznin në rrugë të njohura të narkotrafikut dhe ishin të përfshira në kontrabandë droge.
Gjatë muajve të fundit, më shumë se 20 anije në Paqësor dhe Karaibe janë goditur në kuadër të fushatës së përshkallëzuar të presidentit Donald Trump kundër grupeve kriminale që, sipas tij, transportojnë drogë drejt SHBA-së, duke shkaktuar të paktën 90 viktima. Disa ekspertë ligjorë paralajmërojnë se këto sulme mund të shkelin ligjet ndërkombëtare të konfliktit të armatosur, veçanërisht një rast më 2 shtator, ku një anije u godit dy herë dhe të mbijetuarit e sulmit të parë u vranë në të dytin.
Sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, sulmi i dytë ndaj një anijeje të dyshuar venezueliane mund të konsiderohet vrasje jashtëgjyqësore. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se veprimet janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e luftës për të mbrojtur SHBA-në nga kartelet e drogës. Administrata Trump ka intensifikuar gjithashtu presionin ndaj Venezuelës, duke vendosur trupa dhe mjete ushtarake pranë saj dhe duke shpallur disa grupe kriminale venezueliane si organizata terroriste.
