Ushtria izraelite u bëri thirrje qytetarëve në Iran të shmangin udhëtimin me tren dhe qëndrimin pranë linjave hekurudhore, duke paralajmëruar për rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.

Në një postim në platformën Twitter, i publikuar në gjuhën perse, ushtria izraelite lëshoi një njoftim urgjent për përdoruesit e transportit hekurudhor në të gjithë Iranin.

“Të dashur qytetarë, për sigurinë tuaj, ju nxisim fuqimisht të përmbaheni nga përdorimi dhe udhëtimi me tren në të gjithë Iranin nga tani deri në orën 21:00 sipas kohës iraniane”, thuhet në mesazhin zyrtar.

Sipas paralajmërimit, edhe qëndrimi pranë linjave hekurudhore mund të përbëjë rrezik, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete të këtij njoftimi.

Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të larta mes Izrael dhe Iran, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës dhe goditje të mundshme ndaj infrastrukturës kritike.