Pakistan


U qëllua në kokë nga atentatorët për shkrimet e saj kritike


Është vetëm 14 vjeç, por me fjalët e saj guximtare kundër talebanëve është bërë aq e rëndësishme sa u qëllua për vdekje me një plumb në kokë nga një grup atentatorësh në Pakistanin Veriperëndimor. Malala Yousafzai po lufton për jetën e vet, pasi mjekët arritën t’i heqin plumbin në kokë. Ai u bë problem për talebanët, kur në moshën 11-vjeçare filloi të mbajë një ditar në internet në faqen e BBC në gjuhën Urdu, duke përshkruar jetën e përditshme në zonën e saj, në një kohë kur talebanët morën pushtetin dhe mbyllën shkollat e vajzave. Familja e saj nuk kishte menduar të kërkonte mbrojtjen e qeverisë, pasi nuk besohej se talebanët do të shkonin të konsideronin vrasjen e një vajze sot 14 vjeç. Por një zëdhënës i talebanëve deklaroi se ajo u godit për t’u vrarë, pasi “promovoi sekularizmin” dhe se ajo do të qëllohej sërish në rast se shpëton. Dy vajza të tjera mbetën të plagosura në të njëjtin sulm, njëra prej tyre është në gjendje kritike për jetën. Ajo u bë e famshme për shkak të dëshirës së saj të pafajshme dhe guximtare për të shkuar në shkollë, gjë që u kthye në një fushatë rezistence ndaj talebanëve. Talebanët e kontrolluan krahinën e Luginës Suat nga viti 2007 deri në vitin 2009, kur u përzunë nga forcat ushtarake të Pakistanit, por ky vend mbetet tolerant ndaj tyre, pasi i përdor si një forcë jozyrtare në luftën e ftohtë që ka me Indinë. Vëllai i vajzës, Mubashir Hussain, i deklaroi BBC se militantët janë njerëz “të pamëshirshëm dhe brutalë” dhe u bëri thirrje të gjithë pakistanezëve t’i dënojnë ato.


Politikanët e Pakistanit me në krye Presidentin, e dënuan atentatin ndërsa Departamenti i Shtetit i SHBA-së e cilësoi barbar dhe frikacak. Një gjeneral i ushtrisë deklaroi se talebanët nuk arritën ta kuptonin se vajza nuk është thjesht një individ, por një ikonë e kurajës. Mijëra njerëz nga e gjithë bota kanë dërguar mesazhe mbështetëse. Shkollat u mbyllën në krahinë në shenjë proteste, ndërsa fëmijët në të gjithë vendin u lutën për shërimin e vajzës. Protesta të mëdha kundër talebanëve u zhvilluan në shumë qytete.


Malala shkroi dikur në një mesazh të famshëm se ajo në kohën e talebanëve shkonte në shkollë me rroba të zakonshme dhe jo me uniformë për të gënjyer militantët, ndërsa i fshihte librat nën shall. Një aeroplan i posaçëm mjekësor është dërguar në aeroportin e Peshauarit, qytetit ku vajza po mjekohet, ndërsa mjekët pritet të vendosin nëse është e nevojshme të dërgohet në një vend tjetër për mjekime më të specializuara. Policia njoftoi se ka arrestuar 40 të dyshuar në zonë, por që i liroi më pas, ndërsa vijon hetimet.


Malala shkroi me pseudonim për disa vite, ndërsa pas rënies së talebanëve nga pushteti, fitoi admirim kombëtar për trimëri.