Një vaksinë e personalizuar kundër melanomës, e zhvilluar përmes teknologjisë mRNA, ka dhënë rezultate inkurajuese në parandalimin e rikthimit të kancerit të lëkurës. Studimi i fundit i fazës së tretë konfirmon efektivitetin e saj dhe hap rrugën drejt mundësive të reja në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Sipas rezultateve të studimit INTerpath-001, të prezantuara në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Onkologjisë Mjekësore (ESMO), kombinimi i vaksinës me imunoterapinë ka ulur me 42% rrezikun e rikthimit të melanomës brenda dy viteve, krahasuar me trajtimin vetëm me pembrolizumab.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se rreziku i përhapjes së kancerit në organe të tjera është reduktuar me 38%.
Në studim morën pjesë 1,137 pacientë me melanoma të avancuar dhe rrezik të lartë për rikthim, të trajtuar në 157 qendra mjekësore në vende të ndryshme të botës. Terapia synon të përdoret pas ndërhyrjes kirurgjikale, për të parandaluar shfaqjen sërish të sëmundjes.
Risia e trajtimit qëndron te fakti se vaksina mRNA-4157 prodhohet në mënyrë individuale për çdo pacient, duke u bazuar në mutacionet specifike të tumorit. Kjo i mundëson sistemit imunitar të identifikojë qelizat kancerogjene dhe të reagojë kundër tyre.
Sipas vlerësimeve, në Itali rreth 5 mijë pacientë në vit mund të përfitojnë nga kjo terapi, nga afërsisht 13 mijë raste të reja me melanoma që diagnostikohen çdo vit. Rezultatet e plota të studimit pritet të publikohen gjatë muajit nëntor në revistën shkencore New England Journal of Medicine.
