SHBA është prekur nga një valë e fortë të ftohti polar, duke i sjellë temperaturat afër niveleve më të ulëta rekord. Më shumë se 170 milionë njerëz nga Bostoni në Florida po përjetojnë dimrin më të hershëm në vite, ndërsa ajri i ftohtë nga Kanadaja përshkon të gjithë vendin nga veriu në jug. Sipas Qendrës së Parashikimit të Motit FOX, më shumë se 170 milionë njerëz nga Bostoni në Tampa do të përballen me valën më të ftohtë të sezonit. Rënia e ndjeshme e temperatures do të zgjasë deri në mesin e javës së ardhshme, duke prekur pothuajse të gjithë Shtetet e Bashkuara kontinentale.

Mediat e huaja shkruajnë se meteorologët paralajmërojnë se pjesë të Shteteve të Bashkuara juglindore mund të përjetojnë temperatura rekord, ndërsa ajri i ftohtë përhapet me shpejtësi në jug. Edhe qyteti i Tallahassee, Florida, pritet të regjistrojë temperatura nën zero deri të martën në mëngjes. Nëse parashikimet konfirmohen, kjo do të jetë vala e parë e ngricave në shtetin juglindor këtë vit. Ndryshimi i menjëhershëm është për shkak të një çrregullimi të fortë atmosferik që po lëviz nga Kanadaja dhe që shkakton një rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë Amerikën veriore dhe qendrore.

Banorët në Dakotën e Veriut dhe të Jugut, Nebraska, Lowa dhe Minesota u zgjuan të dielën me temperatura që prekën shifra njëshifrore për shkak të erërave të ftohta. Fenomeni shoqërohet me reshje të dendura dëbore, me një trashësi dëbore që pritet të arrijë në më shumë se 30 centimetra, në një nga episodet e para të forta të motit të keq dimëror të sezonit. Duke filluar nga e hëna, vala e të ftohtit do të përhapet drejt lindjes, duke arritur në Malet Appalachian. Qytetet e Minneapolis, St. Louis, Detroit dhe Pittsburgh do të regjistrojnë temperatura rreth -5°C, ndërsa më në jug, në Atlanta, Dallas dhe Nashville, termometrat do të tregojnë afër 0°C. Erërat që arrijnë shpejtësi deri në 50 km/orë do ta bëjnë të ftohtin edhe më të dukshëm.

Parashikuesit e motit paralajmërojnë se temperaturat gjatë natës do të mbeten shumë nën normalen në të gjithë Jugun. Temperatura rekord të ulëta janë të mundshme në zona të tilla si Jacksonville, Huntsville, Savannah dhe Meridian, ku ngrica pritet të përhapet gjerësisht. Edhe në Floridën qendrore, temperaturat parashikohet të bien 15 deri në 20 gradë nën normalen për sezonin. Në Tampa dhe Orlando, temperaturat nga 29°C e së dielës do të bien ndjeshëm në gati 4°C deri të martën në mëngjes, duke shënuar një valë të rrallë të ftohti për shtetin.