Rreth 1.000 kondicionerë do të shpërndahen në spitalet e rajonit të Parisit deri në fund të javës, ndërsa Franca po përballet me një tjetër valë të fortë të të nxehtit.
Masat emergjente vijnë pas vendimit të qeverisë franceze për të porositur rreth 30 mijë njësi kondicionerësh për spitalet në të gjithë vendin, me qëllim përmirësimin e kushteve në repartet mjekësore gjatë temperaturave ekstreme.
Autoritetet shëndetësore në Paris kanë nisur tashmë blerje shtesë për të përballuar situatën, pasi disa dhoma spitalore kanë arritur deri në 32°C gjatë valës së fundit të të nxehtit.
Sipas drejtuesve të spitaleve publike, situata është veçanërisht e vështirë për pacientët dhe stafin mjekësor, ndërsa pritet që temperaturat e larta të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur më tej nevojën për pajisje ftohëse në institucionet shëndetësore.
