Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja tragjike në disa vende të kontinentit. Në Francë, autoritetet raportojnë se që nga 18 qershori janë regjistruar 74 viktima nga mbytja, ndërsa në Zvicër temperaturat kanë thyer për të tretën ditë radhazi rekordet historike për muajin qershor.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi se shumica e rasteve fatale kanë ndodhur në zona të pambikëqyrura për not, si lumenj, liqene të vegjël dhe vende të tjera ujore të paautorizuara. Sipas tij, janë shënuar edhe incidente në pishina private.

Autoritetet franceze theksojnë se temperaturat e larta kanë shtyrë shumë qytetarë të kërkojnë freski në ujëra të rrezikshëm, duke rritur ndjeshëm numrin e aksidenteve. Ndërkohë, spitalet kanë raportuar edhe raste të shumta të problemeve shëndetësore të lidhura me vapën, përfshirë atake në zemër.

Në të njëjtën kohë, Zvicra po përballet me temperatura rekord. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik MétéoSuisse njoftoi se në stacionin meteorologjik Basel/Binningen u regjistruan 39 gradë Celsius, temperatura më e lartë e matur ndonjëherë në vend gjatë muajit qershor.

Ky rekord tejkalon atë të vendosur vetëm një ditë më parë, kur në të njëjtin stacion u regjistruan 38.8 gradë Celsius.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Autoritetet në disa shtete evropiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.