Italia po përballet me kulmin e valës së tretë të të nxehtit, ndërsa autoritetet kanë zgjeruar masat e alarmit për shkak të temperaturave ekstreme që pritet të dominojnë në orët dhe ditët në vijim.
Për të premten, 17 korrik, 16 qytete janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit, atë të kuq, një rritje krahasuar me 15 qytete një ditë më parë dhe vetëm shtatë në fillim të javës.
Qytetet që do të përballen me rrezikun më të lartë nga temperaturat e larta janë Bolonja, Brescia, Bari, Campobasso, Firence, Frosinone, Xhenova, Latina, Milano, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Torino dhe Viterbo.
Ndërkohë, Ankona, Civitavecchia, Messina dhe Napoli mbeten në alarm portokalli, ku i nxehti ekstrem paraqet rrezik të shtuar, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Ndërsa pjesa më e madhe e vendit vijon të përballet me temperatura përvëluese, në veri të Italisë pritet një përkeqësim i motit. Autoritetet kanë paralajmëruar stuhi të forta në rajonin e Lombardisë, me rrezik për reshje intensive shiu dhe breshër në zonën e Luginës së Po-së.
Gjithashtu, rajonet Emilia-Romagna dhe Veneto janë vendosur në alarm të verdhë për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe mundësisë për fenomene të motit të keq.
