Kërcënime të rreme me bomba kanë vënë në alarm disa media evropiane, mes tyre transmetuesit RTÉ në Irlandë, Sky News në Britani dhe Nova TV në Bullgari. Mesazhet kërcënuese u dërguan përmes email-eve, me tituj si “Mesazh për Perëndimin” dhe paralajmërimin se “ora po ecën”.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në disa prej tyre pretendohej se ishte vendosur një pajisje shpërthyese brenda ndërtesave. Si masë paraprake, u evakuuan punonjësit e disa mediave, ndërsa policia kreu kontrolle të imtësishme. Pas verifikimeve, kërcënimet në objektet e kontrolluara rezultuan të rreme dhe stafi u lejua të rikthehej në punë.
Email-et ishin nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov”, ndërsa përmbajtja pretendonte se dërguesi ishte pjesë e grupit që qëndronte pas kërcënimeve të fundit ndaj avionëve në Evropë. Megjithatë, autorësia e mesazheve mbetet e paqartë.
Kryeministri irlandez Micheál Martin deklaroi se autoritetet evropiane ende nuk kanë përcaktuar nëse bëhet fjalë për veprime individuale apo për një fushatë të koordinuar, duke paralajmëruar se qëllimi i këtyre veprimeve është të përhapin frikë dhe të krijojnë kaos.
Ngjarjet vijnë pas disa ditësh me kërcënime të ngjashme ndaj aeroporteve dhe fluturimeve në vende të ndryshme të Evropës, duke shtuar shqetësimet për sulme të mundshme hibride ndaj sigurisë dhe institucioneve evropiane.
