Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Cincinnati, ku një 26-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka vandalizuar banesën e zv/presidentit amerikan JD Vance. Sipas autoriteteve, i riu ka thyer disa dritare të shtëpisë gjatë orëve të natës, duke përdorur një çekiç dhe duke tentuar të hyjë brenda.
I dyshuari është identifikuar si William DeFoor, i cili u arrestua në orët e para të mëngjesit. Në momentin e incidentit, familja Vance nuk ndodhej në Ohio, pasi ishte zhvendosur në rezidencën zyrtare në Uashington pas inaugurimit.
Mediat amerikane raportojnë se DeFoor vjen nga një familje e pasur dhe e njohur në zonë. Babai i tij, William DeFoor Jr., është mjek urolog pediatrik, profesor në Universitetin e Cincinnati-t dhe i diplomuar në Harvard, me një karrierë disadekadëshe në fushën e mjekësisë.
Gjithashtu, sipas burimeve, i riu dyshohet se javët e fundit kishte përdorur emrin Julia DeFoor në rrjetet sociale, megjithatë policia e ka regjistruar atë me emrin William dhe gjininë mashkullore. Ende nuk është e qartë nëse kjo lidhet me identitet gjinor apo një ndryshim të përkohshëm emri.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë pengim të veprimtarisë zyrtare, dëmtim prone, hyrje të paligjshme dhe vandalizëm. Seanca e parë gjyqësore pritet të mbahet të martën, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar motivet e plota të këtij veprimi.




