Papa Leone XIV ka refuzuar ftesën e presidentit Donald Trump për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes”, tha një zyrtar i lartë i Vatikanit.

Kardinali Pietro Parolin, sekretari i shtetit i Vatikanit, u tha gazetarëve se Papa kishte një numër shqetësimesh në lidhje me iniciativën dhe se si rezultat ai “nuk do të marrë pjesë”.

“Për ne, ka disa çështje kritike që duhet të zgjidhen”, tha ai.

“Një shqetësim është se në nivel ndërkombëtar, mbi të gjitha, duhet të jetë OKB-ja ajo që menaxhon këto situata krize. Kjo është një nga pikat në të cilat kemi këmbëngulur.”

Bordi i Paqes i cili kryesohet nga Donald Trump aktualisht ka 27 anëtarë mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova.

Shqipëria ratifikoi aderimin në Bordin e Paqes, me 110 vota pro në Kuvend. Kryeministri Edi Rama mori ftesë nga presidenti amerikan, Donald Trump, që vendi ynë t’i bashkohej Bordit të Paqes si vend anëtar themelues.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë Bordit legjitimitet ndërkombëtar. Bordi synon të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës edhe pse karta e bordit të paqes që shtetet anëtare kanë pranuar dhe ratifikuar në parlamentet dhe qeveritë përkatëse nuk e përmend specifikisht Gazën.