Papa Françesku ndërroi jetë muajin e kaluar, duke shkaktuar një valë homazhesh nga e gjithë bota. Si Papa i parë nga Amerika Latine, ai la pas një trashëgimi të rëndësishme të formuar nga idealet progresiste dhe shqetësimet për mjedisin. Me ndarjen nga jeta të Papës, Kisha Katolike po hyn në një nga traditat më misterioze të saj: konklavën.
Ja 5 fakte interesante për këtë ritual historik:
1. Pse ka aq shumë sekret?

Konklavat nuk kanë qenë gjithmonë kaq sekrete. Ishte Papa Gregori X, në vitin 1274, ai që vendosi që të gjithë kardinalët votues të mbylleshin në të njëjtën dhomë (cum clave – “me çelës”) derisa të zgjidhnin një Papë. Edhe pse rregullat kanë ndryshuar ndër vite, procesi mbetet i mbyllur dhe i mbushur me ndikime politike të mëdha.
2. Konklavat më të gjata dhe më të shkurtra

Koha që zgjat një konklavë ka ndryshuar shumë gjatë historisë. Më e gjata ndodhi në shekullin XIII dhe zgjati plot 1,006 ditë, ndërsa kardinalët nuk arrinin të bien dakord për pasuesin e Papës Klement IV. Ky ngërç ishte pasqyrim i konflikteve politike të kohës, midis përkrahësve të Papës dhe atyre të Perandorisë së Shenjtë Romake.
3. “Një vakt në ditë”

Për të shmangur zvarritjen e konklavave, Papa Gregori X vendosi një rregull që lejonte kardinalët të hanin vetëm një vakt në ditë gjatë konklavës. Nëse zgjedhja e Papës do të vonohej më shumë se 8 ditë, atëherë ushqimi i tyre do të përbëhej vetëm nga “bukë, ujë dhe verë”. Ky rregull më vonë është hequr.
4. Konklava nuk është mbajtur gjithmonë në Kapelën Sistine në Vatikan

Edhe pse sot konklava mbahet në Kapelën Sistine, në të kaluarën ky proces zhvillohej në vende të ndryshme, përfshirë kisha dhe bazilika nëpër Romë. Në disa raste, konklavat janë zhvilluar edhe jashtë Romës, si në Venecia (Itali), Lion (Francë), etj. Vetëm në vitin 1878 u vendos që Kapela Sistine do të ishte vendi zyrtar për çdo konklavë.
5. Antipapët – një kapitull i trazuar i historisë së Kishës

Gjatë shekujve XI, XII dhe XIII, Kisha u përça në mënyrë të thellë, duke sjellë në skenë të ashtuquajturit “antipapë” – burra që pretendonin se ishin Papë në kundërshtim me atë që ishte zgjedhur zyrtarisht. Ky kaos ndodhi gjatë përplasjes mes Papës dhe Perandorëve të Shenjtë Romakë, të cilët përpiqeshin të vendosnin ndikimin e tyre mbi Kishën. Disa nga antipapët më të njohur përfshijnë Klementin VII, Benediktin XIII dhe Gjonin XXIII.
