Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen San Salvario në Torino, ku një 19-vjeçar, Davide Borgione, u gjet i shtrirë në tokë pranë një biçiklete elektrike me qira, gjatë mëngjesit të së premtes, 23 janar.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë që Davide mbeti në asfalt për një kohë të gjatë pa u ndihmuar, ndërsa një automjet kaloi pranë tij dhe dyshohet se mund ta ketë goditur, por shoferi më vonë deklaroi se nuk e kishte vënë re. Pak më pas, një burrë i vjedh portofolin, duke u larguar pa i dhënë ndihmë të riut. Vetëm disa kalimtarë ndërhynë më vonë dhe thirrën shërbimet e emergjencës.
Davide u transportua me urgjencë në spitalin CTO të Torinos, ku u shpall i vdekur për shkak të një traume të rëndë në kokë. Autoritetet po presin autopsinë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa po shqyrtohen tre mundësi: përplasje me automjet, një problem shëndetësor i papritur, ose rrëzim për shkak të rrugës së lagur nga shi.
Babai i viktimës, Fabrizio Borgione, rrëfeu momentin e fundit me të birin: “E çova në diskotekë atë natë. Më tha ‘pafshim baba’ dhe më buzëqeshi. Ai nuk mbante helmetë, e kishte harruar në shtëpi.” Për grabitjen e portofolit, ai shtoi: “Është çnjerëzore. Shpresoj që autori të identifikohet dhe të ndëshkohet.”
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë dhe rrethanat e tragjedisë.
