Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar një tragjedi të rëndë në shtetin indian të Goas, ku të paktën 23 persona humbën jetën në një klub nate. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në një diskotekë në zonën Arpora, në Goa-n e Veriut, sipas njoftimeve të policisë dhe autoriteteve lokale.

Kryeministri i shtetit, Pramod Sawant, deklaroi se kjo është një ditë tepër e trishtë për Goa-n, pasi mes viktimave raportohet se ka edhe turistë që ndodheshin në lokal në momentin e shpërthimit të flakëve.

Sipas autoriteteve, tre persona kanë vdekur nga djegiet, ndërsa pjesa tjetër e viktimave ka humbur jetën nga asfiksia. Raportimet paraprake të gazetës Indian Express sugjerojnë se një bombol gazi e përdorur në kuzhinën e lokalit mund të ketë qenë shkaku i zjarrit, por hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta.

Goa, i njohur si një destinacion i preferuar turistik gjatë muajve të dimrit, është tronditur nga kjo ngjarje, e cila ka shkaktuar pasoja të rënda dhe reagime të shumta në komunitetin vendas.