Michele Noschese, DJ dhe producent i njohur italian i njohur me emrin artistik DJ Godzi, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare mesnatën mes të premtes dhe të shtunës së kaluar në Ibiza, në rrethana që ende mbeten të paqarta.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë e tij gjatë një feste me miqtë, kur fqinjët njoftuan policinë për shkak të zhurmës së lartë. Pas mbërritjes së oficerëve, sipas disa dëshmitarëve, dyshohet se DJ Noschese është goditur nga policia me shkopinj.
Babai i tij, mjek me profesion, në një intervistë për Tg2 ka hedhur akuza të forta ndaj autoriteteve spanjolle: “E goditën me shkopinj. Autopsia u krye nxitimthi,” ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se do të nisë një betejë ligjore për të kërkuar drejtësi për të birin.
Ndërkohë, Guardia Civil e Palma de Mallorcas ka paraqitur një version tjetër të ngjarjes. Sipas policisë, Noschese ndodhej nën ndikimin e drogës dhe ka kërcënuar me thikë një fqinj të moshuar. Gjatë përpjekjes për ta neutralizuar, ai ka filluar të shfaqë kontraksione, ndërsa përpjekjet për ta shpëtuar kanë rezultuar të pasuksesshme.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa rezultatet zyrtare të autopsisë ende nuk janë bërë publike.
Michele Noschese jetonte prej disa vitesh në Ibiza dhe performonte rregullisht në skenat më të mëdha të muzikës elektronike në Evropë dhe SHBA. Përpara se t’i përkushtohej muzikës, ai kishte përfunduar studimet në ekonomi dhe kishte qenë i angazhuar edhe në futbollin profesionist.
