Ka vdekur në moshën 96-vjeçare ish-presidenti i Italisë Carlo Azeglio Ciampi, i cili ka qenë kreu i shtetit italian që nga 1999 deri më 2006. Ciampi lindi në Livorno në vitin 1920 dhe vuante prej kohësh nga hipertensioni arterioz, patologji që i shkaktoi probleme të mëdha shëndetësore që e prekën edhe gjatë mandatit të tij si president.
Në moshën 23-vjeçare, Carlo Azeglio Ciampi refuzon të aderojë në Republikën Sociale, merr pjesë në luftën e Rezistencës dhe regjistrohet në Partinë e Aksionit. Në vitin 1946 martohet me Franca Pilla, vijon diplomimin e dytë në jurisprudencë dhe hyn përmes konkursit në Bankën e Italisë, ku qëndron për 47 vjet deri sa mbuloi nga 1979 në 1993, rolin e guvernatorit.
Në të njëjtin vit fillon karrierën e tij politike, në fillim si kryeministër i qeverisë ‘teknike’ dhe pastaj si Ministër i Thesarit. Në këtë rol dha një ndihmë të madhe në uljen e borxhit publik. Në 13 maj 1999 (qeveria D’Alema), emërohet pas Oscar Luigi Scalfaro si presidenti i dhjetë i Republikës Italiane. E përfundon detyrën e tij në 15 maj 2006.
16 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)