Gazetari dhe prezantuesi i njohur britanik, John Stapleton, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Ai ndërroi jetë paqësisht në një spital në Londër, pas një përkeqësimi të gjendjes së tij shëndetësore për shkak të sëmundjes së Parkinsonit, e cila u komplikua nga pneumonia.
Lajmin e bëri publik agjentja e tij, Jackie Gill, e cila njoftoi se gjatë ditëve të fundit Stapleton është kujdesur nga djali i tij Nick dhe nusja e tij Lisa, duke qëndruar pranë tij deri në momentet e fundit.
Karriera e Stapleton-it zgjati gati pesë dekada, duke e bërë atë një nga figurat më të njohura të ekranit britanik. Ai ka punuar në programe prestigjioze të BBC-së si Newsnight dhe Panorama, si edhe në GMTV’s News Hour dhe Good Morning Britain. Përveç raportimeve nga studio, ai ka mbuluar edhe ngjarje të mëdha ndërkombëtare, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme, El Salvador dhe Luftën e Ishujve Falkland.
Në vitin 1986, Stapleton iu bashkua emisionit Watchdog së bashku me bashkëshorten e tij, gazetaren Lynn Faulds Wood, me të cilën ndau ekranin deri në vitin 1993. Çifti kishte një djalë, Nick, lindur në vitin 1987. Bashkëshortja e tij u nda nga jeta në vitin 2020, në moshën 72-vjeçare, pas një goditjeje në tru.
Vetë Stapleton kishte treguar publikisht betejën e tij me Parkinsonin. Në një intervistë emocionale vitin e kaluar, ai shprehu vështirësitë e përditshme, por edhe vendosmërinë për të mbetur pozitiv: “E kam fituar jetën time duke folur, dhe tani është e vështirë kur njerëzit të thonë ‘më fal, çfarë the?’ e ti duhet ta përsërisësh sërish e sërish. Por nuk ka kuptim të ankohesh, duhet të ecësh përpara.”
Lajmi i vdekjes së tij ka sjellë një valë ngushëllimesh nga kolegë dhe miq. Prezentuesi Mark Austin e quajti “një njeri të mirë dhe profesionist të shkëlqyer”. Ndërsa Erron Gordon, krijues i Good Morning Britain, tha se Stapleton “kishte një aftësi të rrallë për të përballuar çdo sfidë dhe gjithmonë kujdesej për ekipin e tij”.
John Stapleton do të mbahet mend si një prej gazetarëve dhe prezantuesve më të respektuar të televizionit britanik, një zë i fuqishëm që i dha formë raportimit televiziv për gati gjysmë shekulli.