Një tjetër tragjedi ka goditur Rripin e Gazës, ku një djalë katërvjeçar, Mohammad Mustafa Yassin, humbi jetën nga uria, sipas mjekëve në Spitalin Arab Baptist al-Ahli.

Ky rast i dhimbshëm e çon në 58 numrin e palestinezëve që kanë vdekur nga uria gjatë 80 ditëve të fundit të rrethimit izraelit. Sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, mbi 240 persona të tjerë, shumica fëmijë dhe të moshuar, kanë ndërruar jetë për shkak të mungesës së ushqimit dhe barnave, pasi Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave që nga fillimi i marsit.

Popullsia e Gazës, prej 2.1 milionë banorësh, po përballet me uri masive dhe mungesë të theksuar të nevojave bazë për mbijetesë. Deri para rrethimit, ndihmat humanitare arrinin me rreth 600 kamionë në ditë, minimumi i nevojshëm sipas organizatave ndërkombëtare, ndërsa aktualisht, vetëm 119 kamionë kanë hyrë gjatë gjithë javës së fundit.

Kreu i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, ka kritikuar ashpër kufizimin ekstrem të ndihmave, duke deklaruar se situata është alarmante dhe se uria po përdoret si një mjet lufte.

“Kjo është një krizë e krijuar nga njeriu. Të gjithë në Gaza janë të uritur. Jemi përballë një katastrofe të përmasave të padëgjuara,”– tha ai.

Deklarata të përbashkëta nga 80 vende kanë paralajmëruar për “krizën më të rëndë humanitare” që nga tetori i vitit të kaluar, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare.

Uria masive dhe vdekjet e fëmijëve kanë ngjallur zemërim dhe reagime në rritje, përfshirë edhe nga aleatë perëndimorë të Izraelit si Britania, Kanadaja dhe Franca, të cilët kanë shtuar presionin për një zgjidhje humanitare urgjente.